STILET E LIDERSHIPIT

Mënyra e sjelljes së liderëve ndaj vartësve për arritjen e objektivave të përcaktuara, apo siç quhet ndryshe, stili i lidershipit, varjon nga njeri lider tek tjetri, por në analizë të fundit, ai përfshihet në një nga tre stilet bazë të mëposhtme:

1 Stili autokratik i lidershipit

Ky stil autoritar, duke u bazuar tek supozimet e teorisë “X” të McGregory-t për natyrën njerëzore, jo vetëm që nuk kërkon opinionin e vartësve, por u le atyre një fushë mjaft të kufizuar veprimi për të ndikuar mbi marrjen e vendimeve.
Stili autokratik karakterizohet nga preferenca për të mbajtur në një nivel minimal konfliktin dhe kreativitetin si edhe nga mbikqyrja e rreptë e vartësve, motivimi i të cilëve bëhet nëpërmjet frikës dhe stimujve. Këto veçori të këtij stili, tregojnë se zbatuesit e tij janë përkrahës të shkollës klasike të manaxhimit.

2 Stili demokratik (ose pjesëmarrës) i lidershipit

Stili demokratik i lidershipit bazohet në teorinë “Y” të McGregory-t ose në teorinë “Z” të W.Ouchi-it, për natyrën njerëzore. Lideri demokratik e ndan autoritetin e tij me vartësit, merr në konsideratë mendimet dhe opinionet e tyre dhe i nxit ata për të qenë aktiv në procesin e marrjes së vendimeve. Konsiderohen si përkrahës të këtij stili të gjithë ata individë, të cilët nuk kryejnë asgjë pa bashkëveprim me vartësit apo që nuk marrin vendime pa u konsultuar paraprakisht me ta.
Megjithëse ky stil u jep njerëzve me shumë kënaqësi në punë dhe i nxit për të kooperuar me efektivitet më të lartë, nuk mund të thuhet me saktësi nëse vendimet e marra në këtë mënyrë janë më të mirat. Studimet e fundit, bile, hedhin një hije dyshimi mbi këtë çështje për shkak të influencave të faktorëve të mjedisit (qeveria, konkurentët, klientët etj) dhe pohojnë se, në qoftë se liderët anojnë më tepër së ç’duhet nga pjesëmarrja e punonjësve, atëhere produktiviteti i tyre ka tendencë të zvogëlohet.

3 Stili liberal (“laissez-faire”)

Stili liberal mbështetet në një përdorim mjaft të kufizuar të pushtetit, duke u lenë vartësve një shkallë të madhe lirie në veprimtarinë e tyre. Liderët përcaktojnë disa limite shumë të gjera dhe i lejojnë vartësit që të përcaktojnë vetë objektivat si edhe mënyrën e realizimit të tyre, duke luajtur në këtë mënyrë më tepër rolin e ndihmësit sesa të eprorit. Ky qëndrim nënkupton që ata u ofrojnë vartësve informacionin e duhur e shërbejnë si kontaktues të grupit me mjedisin e jashtëm. Lideri që aplikon stilin liberal bën pak përpjekje për zhvillimin e vartësve të tij apo për plotësimin e kërkesave që ata kanë. Sikurse për stilin demokratik, edhe këtu mbështetje është teoria “Y” ose “Z” dhe përkrahësit e këtyre stileve preferojnë me tepër shkollën e sjelljes.
Teoria “Z” e hartuar nga W.Ouchi, quhet ndryshe edhe trajtimi japonez për shkak të adaptimit të mënyrës japoneze të manaxhimit të organizatave të biznesit. Kjo teori, e prezantuar vitet e fundit, presupozon që të jenë të suksesshem manaxherët, duhet t’i trajtojnë punonjësit e tyre në mënyrë të hapur, të kenë besim tek ata e të lejojnë një pjesëmarrje të gjerë të tyre në procesin e marrjes së vendimeve.
Ideja themelore që përshkon këtë teori është se krijimi i një klime të ngrohtë dhe i një trajnimi të gjerë për eliminimin e monotonisë në punë dhe për të zgjeruar mundesitë për karrierë, janë elementë mjaft të rëndësishëm për punonjësit që ata të motivohen për të rritur përpjekjet për të plotësuar sa më mirë objektivat e liderit të tyre.
Në mënyrë të sintetizuar, karakteristikat themelore të kësaj teorie janë:
• Punësim afatgjatë, zakonisht për gjithë jetën (deri në daljen në pension)
• Proces relativisht i ngadaltë i vlerësimit dhe promocionit
• Zhvillimi i mjeshtërive që janë specifike për kompaninë dhe i një karriere jo shumë të specializuar
• Pjesëmarrja në vendim-marrjen me konsensus. Gjithashtu, vendim-marrje kolektive, por përgjegjësi individuale
• Mekanizma informale kontrolli të mbështetura nga masat formale të kontrollit
• Preokupim i madh për mirëqënien e vartësve dhe kolegëve si një pjesë a natyrshme e marrëdhënieve të punës si edhe relacione informale ndërmjet njerëzve.

R.Likert, ish-drejtori i Institutit të Studimeve Sociale pranë Universitetit të Michigan-it, stilet e lidershipit i ka klasifikuar në katër sisteme:

Sistemi 1: Shfrytëzues-autokratik

Manxherët që adaptojnë një stil të tillë lidershipi janë mjaft autoritarë dhe i marrin të gjitha vendimet vetë. Niveli i besimit reciprok epror-vartës është shumë i ulët. Motivimi i punonjësve bazohet kryesisht në frikën dhe dënimet, ndërsa përdorimi i shpërblimeve është i kufizuar e për raste të veçanta. Në këto kushte, një pjesë e vartësve, tentojnë të marrin disa tipare servilizmi në marrëdhëniet me eprorin e tyre.

Sistemi 2: Dashamirës-autokratik

Ky stil paternalist lidershipi presupozon që shumica e vendimeve merret nga eprori, i cili përpiqet t’i bindë vartësit se ai vepron duke pasur gjithnjë në konsideratë interesat e tyre. Duke u bazuar në shperblimet dhe vetëm pjesërisht në frikën apo dënimet, manaxherët që aplikojnë këtë stil lidershipi lejojnë një delegim mjaft të kontrolluar të marrjes së një pjese të vogël vendimesh, si edhe tërheqin disa prej ideve të vartesve. Në këtë mënyrë, ata shpresojnë që punonjësit të jenë produktivë dhe të veprojnë sipas direktivave të eprorëve. Shkalla e besimit të vartësve është e ulët, por ata nuk ushqejnë armiqësi, si në rasti e mëlartëm, ndaj eprorëve.

Sistemi 3: Konsultativ

Manaxherët që përdorin këtë stil lidershipi, kanë besim tek vartësit, por ky besim nuk është i plotë. Ata praktikojnë një mbikqyrje relativisht të gjerë, pra jo të fortë. Të bazuar në motivimin e njerëzve me anën e shpërblimeve e duke përdorur në një masë të vogël dënimet, ata formulojnë një politikë të gjerë, përqëndrojnë në majën e piramidës marrjen e vendimeve më të rëndësishme dhe delegojnë në nivelet më të ulëta pjesën tjetër të tyre. Ky stil, në vetevete, përbën një shkëputje përfundimtare nga dy stilet e mësipërme të udhëheqjes.

Sistemi 4: Pjesëmarrës

Ky stil lidershipi, sipas Likert-it, e vë theksin tek rëndësia e pjesëmarrjes së grupit dhe manaxherët që përdor in këtë stil kanë besim të plotë tek vartësit e tyre. Punonjësit integrohen totalisht në procesin e marrjes së vendimeve, dhe nga ana tjetër, manaxherët mbështeten vazhdimisht tek idetë e vartësve, të cilat i përdorin në mënyrë konstruktive.Marrja e vendimeve në të gjitha nivelet e manaxhimit bëhet me pjesëmarrjen e punonjësve. Ketu aplikohet në një masë të gjerë dhënia e shpërblimeve.
Komunikimi ekziston dhe funksionon normalisht nga lart-poshtë dhe anasjelltas si edhe nga pikëpamja horizontale. (Ndërsa në sistemin 1 lejohej komunikimi nga lart-poshtë në disa raste të caktuara, në sistemin 2 lejohej disi komunikimi nga poshtë-lart, kurse në sistemin 3 komunikimi është i lejueshëm në të dy kahet).
Nën influencën e këtij sistemi apo stili lidershipi, produktiviteti dhe kenaqësia në punë tentojnë të arrijnë nivele të larta

0 comments:

Post a Comment